JOQ Albania
Home

Izet Demaj, polici i 20-të i vrarë në krye të detyrës
Shkruar nga: E Gjoni | Publikuar më: 28/12/2018 15:15

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Vrasja në krye të detyrës e një pjestari të Policisë së Kosovës, gjatë një aksioni për të kapur një të dyshuar për plaçkitje, ka bërë që institucionet e Kosovës të reflektojnë për gjendjen e pjestarëve të organeve të rendit.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka premtuar se institucionet e Kosovës do të ndërmarrin të gjitha veprimet për të mbrojtur Policinë e Kosovës. Ai ka shtuar se në janar të vitit 2019, do të procedohen në Kuvendin e Kosovës, Projektligji për Sigurime Shëndetësore, Jetësore dhe Sigurime Pensionale për Policinë e Kosovës.

Gjatë një vizite që kryeministri Haradinaj i ka bërë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, ka thënë se nuk do të lejohet që kriminelët të vendosin ligjin në Kosovë. Kurse, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Rashit Qalaj, ka thënë se premtimet e tilla janë mbështetje e madhe për Policinë e Kosovës.

Deklarata e Rashit Qalaj-t:

Unë jam shumë krenar që të enjten në Istog, Policia e Kosovës ka arritur që t’i shpëtojë qytetarët dhe të intervenojë me kohë. Por, në të njëjtën kohë jemi shumë të pikëlluar se njëri nga policët tanë është qëlluar dhe më vonë ka vdekur. Por, besoj se e ka kryer punën me heroizëm dhe ka bërë një punë madhështore në shërbim të qytetarëve. Është tragjike, por në të njëjtën kohë jemi edhe shumë krenarë.”

Në nderim të policitë të vrarë, Izet Demaj, të shtunën në Kosovë do të jetë ditë zie, kurse Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të ndajë një shumë simbolike, prej 15 mijë eurosh për familjen e tij. Që nga themelimi i Policisë së Kosovës, 19 vjet më parë, e deri më tani, 20 zyrtarë të saj kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës.

Rasti i parë është regjistruar në shtator të vitit 2001, ndërsa vrasja e fundit ka ndodhur të enjten në qytetin e Istogut, gjatë një shkëmbimi të shtënash me armë zjarri ndërmjet një personi të dyshuar për plaçkitje të bankës dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Kurse, 168 është numri i sulmeve ndaj personave zyrtarë në kryerje të detyrës. Në këto raste nuk hyjnë vetëm ato ndaj policëve, por edhe zyrtarëve tjerë.