JOQ Albania
Home

Kadri Veseli i “frikësohet” Gjykatës Speciale
Shkruar nga: A Gashi | Publikuar më: 02/01/2019 11:03

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka thënë se Kosova në vitin 2018, pavarësisht dështimeve, ka shënuar përparim sidomos me ushtrinë. Por do të mbetet sfidë Gjykata Speciale dhe uniteti për bisedimet me Serbinë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se po bëhen reforma të thella në sistemin e drejtësisë, shëndetësisë dhe në atë të ekonomisë.

“Nëse e marrim në tërësinë e saj, Kosova në të gjitha fushat ka shënuar përparim. Natyrisht, kemi edhe sfida të cilat duhet t’i adresojmë në mënyrë të duhur”, ka thënë Veseli.

Ai ka thënë se sfidë për Kosovën do të jetë Gjykata Speciale por, sipas tij, nga kjo sfidë Kosova do të dalë edhe më e fuqishme.

Veseli e ka ftuar spektrin politik të flasë me një zë për fazën finale të dialogut me Serbinë. Ai thotë se në këtë proces partitë duhet të përballen me Serbinë e jo me njëra-tjetrën.

“Është mbarëvajtje e takimeve që do të mbahen në Bruksel, në fazën finale të dialogut. Ne jemi të vendosur që si shtet i pavarur dhe sovran ta përçojmë mesazhin e qytetarëve tanë në këtë proces se Kosova synon të ketë një marrëveshje me Serbinë, e cila nuk është as më shumë e as më pak sesa Kosova shtet i pavarur dhe sovran dhe që me territorin e saj të njihet nga shteti i Serbisë dhe që Kosova ta fitojë ulësen në OKB”.

Ndërsa në pyetjen se pse, me gjithë ftesën e bërë nga ai, dy partitë më të mëdha opozitare, LDK-ja dhe LV-ja, nuk ishin pjesë e një takimi, Veseli ka thënë se është në përgjegjësinë e tyre.