JOQ Albania
Home

Minatorët e “Trepçës” në grevë, asnjë punëtor nuk futet në minierë
Shkruar nga: A Gashi | Publikuar më: 04/01/2019 11:38

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Sot është dita e dytë e grevës së organizuar nga punëtorët e Minierës së Stantërgut të Kombinatit “Trepça”, të cilët po kërkojnë kushte më të mira dhe rifunksionalizim të kombinatit.

Mësohet se asnjë nga ndërrimet e kësaj miniere nuk është duke punuar, përveç pozitave vitale siç janë pompat apo trafot.

Isuf Peci nga Sindikata e Minatorëve ka thënë se ende nuk është bërë e ditur nëse ndonjëri nga krerët e shteti pritet t’i vizitojë ata gjatë grevës.

Mirëpo ai ka bërë të ditur se greva do të vazhdojë deri sa të realizohen kërkesat e tyre për rritje pagash prej 20 përqind.

Ai ka thënë se vendimi për të hyrë në grevë ka qenë i punëtorëve dhe Sindikata e Minatorëve e përkrahë këtë vendim.

“Vendim është marrë nga punëtorët. Çfarëdo vendimi që marrin punëtorët, Sindikata e Minatorëve e përkrahë atë”, ka thënë ai.

Ndryshe, viti i kaluar ishte cilësuar si “viti i Trepçës”, me premtimin se gjatë vitit 2018 do të rifunksionalizohet ky kombinat përmes ligjit, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur./JOQ Kosova