JOQ Albania
Home

Kreu i LDK-së i bën të njëjtë Kadri Veselin dhe Serbinë
Shkruar nga: A Gashi | Publikuar më: 06/01/2019 13:58

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka filluar një fushatë kundër kësaj partie, duke e krahasuar atë me Serbinë.

Sipas tij, ata të cilët qëndrojnë pas kësaj fushate nuk do të mund të kryejnë punë duke e provokuar LDK-në, raporton JOQ Kosova.

“Më mirë do të ishte që Veseli të merret me drejtimin e Kuvendit por edhe me koalicionin qeverisës, sepse problemi është te ta e jo te LDK-ja”, ka shkruar Mustafa.

Krejt ky reagim i Mustafës lidhet me ftesat e shumta të kryeparlamentarit Kadri Veseli për përfshirjen e LDK-së në dialog. Madje, ky i fundit nuk kishte kursyer as kritikat.

Lexoni të plotë reagimin e Mustafës:

Provokatorë, si Serbia si Kadria!

Në situatën kur , edhe përkundër diferencave të mëdha të skenës politike, Kosovës i nevojiten përpjekje e brendshme për të gjetur rrugën më të mirë për ta përballuar dialogun me Serbinë, ka filluar një fushatë e ndyrë e udhëhequr nga Kadri Veseli, Kryetar i Kuvendit dhe i PDK-së dhe e pasuar nga lakenjtë e tij kundër LDK-së. Nuk e kanë mirë, sepse nuk mund të kryejnë punë duke e provokuar LDK-në.

Më mirë do të ishte që z. Veseli të merret me drejtimin e Kuvendit por edhe me koalicionin qeverisës, sepse problemi është te ta e jo te LDK. Ata kanë problem me BE-në dhe me SHBA-të që të përmbushin kushtet për dialog. Ata nuk po munden me e bindë Kryeministrin ta bëjë punën e tij në dialog e po merren me LDK-në. Ata veprojnë publikisht me tre platforma për dialog, një të Presidentit, një të Qeverisë dhe një të Komisionit të Kuvendit.

Nuk është përgjegjësi e LDK-së pse koalicioni qeverisës është i dobët, pse s’ka fuqi ta përballoj dialogun, pse kryeministri i ik përgjegjësisë së tij në dialog?! Nuk është, po ashtu, përgjegjësi e LDK-së që dikush harron se Kosova e ka shpallur pavarësinë, se kemi institucione kushtetuese dhe se asnjë grup i derivuar nuk duhet dhe nuk mund të zëvendësoj këto institucione.

Për LDK-në nuk ka ekip të unitetit me njerëz jounifikues; me njerëz që ofendojnë, gënjejnë e shpifin. Dhe, Kosovës nuk i nevojitet kurrfarë ekipi i unitetit në kohën kur i ka të gjitha institucionet kushtetuese. Nëse këto institucione janë të paafta ta kryejnë punën e tyre, duhet të themelohen institucione tjera përfaqësuese e jo ekipe që u shërbejnë institucioneve pa legjitimitet.

LDK ka qenë pjesë e të gjitha proceseve shtetformuese. Por dialogu me Serbinë, nuk është shtetformues. Shtetin e kemi formuar dhe e kemi shpallur në këta kufij më 17 shkurt 2008. Dialogu është për të na njohur Serbia, jo për ta mbyllë çështjen e shtetësisë, sepse kjo çështje është e mbyllur dhe askush nuk ka të drejtë ta hapë.

LDK e peshon rëndësinë e këtij dialogu dhe përkrahjen nga SHBA dhe BE. Prandaj angazhohet që për këtë dialog të kemi një qeveri që përfaqëson shumicën meritore dhe që ka legjitimitet politik.
Mashtrohet dikush nëse mendon se mund ta merr me qera LDK-në për dialog, ashtu siç kanë vepruar me të tjerët. Rugova ka drejtuar proceset më të rëndësishme të vendit, si President, por nuk ia ka dhënë LDK-në ti shërbej askujt. Vetëm Kosovës.

Serbia ia bënë gjitha të zezat Kosovës, deri aty sa i shkruan edhe Shqipërisë ta tërheq njohjen e shtetit të Kosovës, e në anën tjetër trumbeton anembanë botës se Kosova po pengon dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve!
Kadriu (Kadri Veseli) si Kryetar i Kuvendit dhe Kryetar i PDK-së, dhe lakenjtë e tij s’lënë gjë të keqe pa ia atribuuar LDK-së, e njollosin me llojlloj etiketimesh, e në anën tjetër kërkojnë që LDK të bashkëpunojë më ta dhe me koalicionin e tyre në dialog.
As nuk ka dëshirë Serbia që të përparojë dialogun dhe ta njohë Kosovën, e as Kadriu që të bashkëpunojë me LDK-në, sepse këtë e ka vërtetuar.
Në këto rrethana, aq më pak ka vullnet LDK të punojë bashkë me Kadriun.
Por fati politik është tjetër. As Serbia nuk do të përballoj pa hy në dialog dhe pa e njohur Kosovën, e as Kadriu s’ka forcë me e shty ketë proces duke e ofenduar LDK-në dhe opozitën që përfaqësojnë shumicën në Kuvend.