JOQ Albania
Home

Thaçi takohet me njeriun e Trump, i premton heqjen e taksës ndaj Serbisë
Shkruar nga: A Gashi | Publikuar më: 07/01/2019 10:18

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Nën presionin e administratës së Presidentit Amerikan Donald Trump dhe me premtimin e Trump për një ceremoni paqeje, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, është zotuar të marrë një hap të madh drejt zgjidhjes së tensioneve me kundërshtarin ballkanik, Serbinë.

Trump ka bërë një ftesë jashtëzakonisht të drejtpërdrejtë për liderët e Kosovës dhe të Serbisë në kohën kur armiqësitë e 10 viteve të fundit kërcënojnë të shpërthejnë në konflikt të armatosur, ndërsa administrata e tij po punon në kanale të fshehura që të ulë tensionet me Serbinë e mbështetur nga Rusia.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë një udhëtim diplomatik në Berlin, të pa-raportuar, muajin e kaluar, ku ka takuar ambasadorin amerikan, RichardGrenell, njeri i besueshëm i Presidentit Trump. Thaçi u zotua se do të angazhohej për ndryshimin e kursit në tarifat sanksionuese në të gjitha mallrat serbe.

Në një bisedë me “The Washington Post”, të premten, e realizuar në gjuhën angleze me shkëmbime elektronike, Thaçi u shpreh se ai është “gati të shqyrtojë heqjen e tarifave nëse Kosovës i jepet një rrugë e qartë drejt arritjes së një marrëveshjeje finale paqësore me Serbinë”.

Taksat e vëna muajin e kaluar – një hap ky që ka mllefosur Serbinë dhe Rusinë dhe ka alarmuar Bashkimin Evropian – janë shoqëruar me kërcënimet nga ana e Kosovës për të themeluar Forcat e Armatosura në kundërshtim me marrëveshjet me NATO-n, që ende mban një forcë mbrojtëse në Kosovë një dekadë pas ndarjes nga Serbia dhe formimi i shtetit sovran. Serbia asnjëherë nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe kryeqyteti i saj, Beogradi, ka tërhequr vërejtjen se mund të intervenojë me forca të armatosura për shkak të mosmarrëveshjeve të fundit. Rusia konsideron se roli vital që SHBA ka luajtur në krijimin e këtij shteti është përzierje jolegjitime në afërsinë e saj.

“Po, taksat janë masë e jashtëzakonshme”, është shprehur Thaçi.

“Pala jonë është e gatshme të gjejë zgjidhje për këtë. Gatishmëria jonë shtohet nëse ndiejmë se partnerët tanë na përkrahin dhe na udhëzojnë në këtë çështje. Nga ana ime, unë do të garantoj popullin e Kosovës se këto udhëzime dhe kjo përkrahje ekziston”, shprehu Thaçi pikëpamjen që nuk është raportuar më parë e që vjen në kohë të rreziqeve politike pas shtimit të tensioneve nacionaliste.

Ai nuk mund t’i heq vetë taksat e vendosura nga Parlamenti, si dhe përballet me kundërshtime të brendshme nga Kryeministri i Kosovës, që shpeshherë shihet si rival i tij politik.

Por, Shtetet e Bashkuara e shohin hapin e tij si hap i parë drejt dhënies fund eskalimit “një për një” që është zhvilluar në muajt e fundit dhe kthim potencial në atë që duket të jenë përpjekjet më frytdhënëse në këtë dekadë drejt një marrëveshje paqësore.

“Miqtë e Kosovës dhe unë e ndajmë bindjen e qartë se përpara kemi një sfidë enorme në kuptim të bërjes së asaj që ndërgjegjja jonë na kërkon ta bëjmë dhe që është detyrë e jona historike – të bëjmë paqen të mundshme dhe të vërtetë”, u shpreh Thaçi.

Trump u ka dërguar letra personale liderëve të dy vendeve, muajin e kaluar, duke u kërkuar që t’u kthehen bisedimeve paqësore e duke ofruar ftesën që së bashku të shkojnë në Shtëpinë e Bardhë.

Edhe pse Shtëpia e Bardhë nuk ka folur më shumë për këtë hap, Thaçi dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i kanë publikuar vetë kopjet e letrave.