JOQ Albania
Home

Të enjten drejt Hagës, avioni special çon pasagjerë që i kërkon tribunali
Shkruar nga: E Gjoni | Publikuar më: 08/01/2019 19:15

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Një avion charter, do të udhëtojë ditën e enjte drejt Holandës, aty ku ndodhet edhe selia e Gjykatës Speciale. Kjo e fundit do të gjykojë krimet e supozuara të UÇK-së.

Autoriteteve kosovare, u është kërkuar leja të premten e kaluar, fillimisht për nisjen e më pas për kthimin drejt aeroportit të Roterdamit, që ndodhet 23.6 kilometra larg objektit të Zyrave të Gjykatës Speciale. Në të njëjtën ditë, pritet të largohet edhe nga Kosova, Sami Lushtaku, që tashmë ka marrë ftesë  për t’u paraqitur në Hagë.

Autoritet kosovare, para katër ditësh kanë marrë një kërkesë nga Haga, për të lejuar nisjen e më pas edhe ngritjen e një avioni charter nga aeroporti i Prishtinës. Avioni charter, do të fluturojë drejt Holandës, në mëngjesin e ditës së enjte në datën 10 janar 2019.

Autoritet kosovare ende nuk kanë përfunduar të gjitha veprimet për dhënien e lejes në fjalë. Ministria e Infrastrukturës të martën gjatë gjithë ditës nuk ka folur për këtë kërkesë. Informacionet rreth kësaj kërkese po i cilëson si sekrete nga të gjitha palët.

Njësoj ka vepruar edhe Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror, duke arsyetuar se diçka e tillë është në kompetencë të Ministrisë së Infrastrukturës.

Deklarata e zëdhënësit të ASHNA-s, Dritan Ujkani:

Kërkesat bëhen në Ministri të Infrastrukturës, ajo e aprovon. Ne nuk japim përgjigje, Ministria e Infrastrukturës e jep lejen. Nëse Ministria e bën aprovimin, pastaj njoftojnë aeroportin, pastaj vjen si plan te ne."

Fluturimi parashikohet të ndodhë një ditë pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar ka caktuar ta intervistojë ish-komandantin e Përgjithshëm të UÇK-së Sylejman Selimi.
Me shumë mundësi, intervistimi nuk do të ndodhë, pasi Selimi, ndodhet në burgun e Kosovës, i dënuar për krime lufte. Pengesës për t’u realizuar intervista, i janë shtuar edhe problemet shëndetësore, që i janë shfaqur të burgosurit.

Kjo është konfirmuar sot edhe nga avokati Tom Gashi, që është pjesë e ekipit të mbrojtjes së ish-komandantit të TMK-së dhe FSK-së.

Deklarata e avokatit:

Ne ekipi i avokateve jemi duke negociuar me Zyrën e Prokurorit Special për intervistimin e z.Sylejman Selimit në Prishtinë për një datë të papërcaktuar kur gjendja e tij shëndetësore të normalizohet .”