JOQ Albania
Home

Kosova në kaos me borën, Policia apelon për kujdes
Shkruar nga: A Gashi | Publikuar më: 09/01/2019 11:29

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Mëngjesi i sotëm ka gjetur të gjitha rrugët e Kosovës të mbuluara me shtresa të larta të borës dhe akullit.

Gjatë këtyre orëve shumë vetura kanë përfunduar jashtë rrugës dhe janë aksidentuar, raporton JOQ Kosova.

Ndonëse Ministria e Infrastrukturës vazhdimisht po përsërit që rrugët e Kosovës po pastrohen, fotografitë nga vende të ndryshme e thonë një gjë tjetër.

Sidoqoftë, pas kësaj situatë dhe duke iu referuar kushteve atmosferike, ndryshimit të motit me të reshura më të dendura të borës në gjithë Kosovën, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes më të shtuar gjatë ngasjes së automjeteve në trafik.

Ky është njoftimi i detajuar i Policisë:

Ju informojmë se Policia e Kosovës përmes planeve konkrete me njësitet e saj ka marrë masa për përforcimin e shërbimeve të Policisë së Komunikacionit Rrugor në të gjitha akset rrugore, me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë dhe parandalimit të aksidenteve në trafik.

Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që të respektojnë shenjat e komunikacionit rrugor si dhe t’u përshtaten kushteve atmosferike gjatë ngasjes së automjeteve, sepse tani të reshurat ndikojnë në zvogëlimin e dukshmërisë në rrugë, ku në disa akse rrugore mund të paraqiten vështirësi në qarkullimin rrugor e sidomos në orët e vona dhe ato të hershme ku mund të paraqiten edhe ngrica.

Policia e Kosovës vazhdon të apeloj tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë dispozitat ligjore të lëmit të komunikacionit, të posedojnë pajisjet e nevojshme dimërore, të ju përshtaten kushteve të rrugës dhe kushteve atmosferike, pasi që këto norma janë vendosur për mbrojtjen e jetës së tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion.

Në të kundërtën Policia e Kosovës njofton të gjithë qytetarët, opinionin e gjerë se do të ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj të gjithë shkelësve të ligjit, me të vetmin qëllim për ngritjen e nivelit të sigurisë në trafik, parandalimin e aksidenteve, e në veçanti të atyre me pasoja fatale”, theksohet më tej në apelin e Policisë së Kosovës