JOQ Albania
Home

Haradinaj shton numrin e këshilltarëve, paguhen nga taksapaguesit kosovarë
Shkruar nga: E Gjoni | Publikuar më: 09/01/2019 20:24

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Ramush Haradinaj do të rrisë edhe më shumë shpenzimet nga buxheti i shtetit. Kryeministri ka vendosur që të shtojë numrin e këshilltarëve politikë. Në dhjetor të vitit të kaluar, qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, ka marrë vendim që kryeministri mund të emërojë deri në 15 këshilltarë politikë.

Krahas kësaj, Haradinaj mund të ketë edhe 9 këshilltarë të tjerë nga radhët e komuniteteve, atë malazez dhe kroat, që zyrtarisht nuk njihen si komunitete. Në total, kryeministri pritet t’i ketë 24 këshilltarë politikë që paguhen nga paratë e taksapaguesve kosovarë.

Bazuar në vendimin për rritje të pagave të qeverisë, paga e këshilltarit politik të kryeministrit është 1.340 euro. 24 këshilltarët e Haradinajt pritet të marrin mbi 32 mijë euro në muaj apo rreth 386 mijë euro në vit.

Zyra e Haradinajt ka edhe 11 këshilltarë të jashtëm. Me gjithë këta, Haradinaj pritet të ketë afër vetes 35 këshilltarë. Por, zyra e Kryeministrit thotë se 9 këshilltarët e komuniteteve nuk duhet të hyjnë në numrin e përgjithshëm të këshilltarëve.

Në një përgjigje të shkruar, arsyetojnë vendimin për shtimin e këshilltarëve politikë, për shkak të angazhimeve shtesë në dialog.

Sipas ndryshimit të rregullores për fushat dhe përgjegjësitë e Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive, thuhet se zëvendëskryeministri i parë, që tani është Behgjet Pacolli, mund të emërojë deri në 9 këshilltarë politikë.

Ndërkaq, zëvendëskryeministrat pa funksion ministror, Fatmir Limaj dhe Enver Hoxhaj, do të kenë nga 11 këshilltarë politikë. Zëvendëskryeministrat që janë edhe ministra, sipas këtij vendimi, mund të emërojnë deri në 6 këshilltarë politikë.

Kurse, 18 ministrat tjerë kanë të drejtë të emërojnë deri në 6 këshilltarë, që i bie se për ministra do të jenë rreth 130 të tillë. Por, numri i këshilltarëve për zëvendëskryeministrat që janë edhe ministra, si dhe për ministrat, do të jetë edhe më i madh. Kjo sepse të njëjtit mund të emërojnë një këshilltar politik nga komunitetet.

Qeveria Haradinaj, vetëm pas 3 muajve të nisjes së punës, ia rriti pagat vetes 100 për qind. Kryeministri merr pagë mujore 2.950 euro.