JOQ Albania
Home

Kërkuan favore seksuale në këmbim të vendimit, kush janë gjyqtarët shqiptarë të përfshirë në skandale
Shkruar nga: G Hasani | Publikuar më: 10/01/2019 21:09

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Jo më larg se pak orë më parë Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka  vendosur pezullimin nga detyra të gjyqtarit të Fierit, Roland Hysi, pas publikimit të një skandali ku i kërkonte favore seksuale një gruaje të divorcuar në këmbim të kujdestarisë së fëmijës.

Gjyqtari Hysi u arrestua ditën e djeshme sëbashku me psikologen Elona Meçani.

Por rasti i Roland Hysit nuk është i pari ku gjyqtarët janë të përfshirë në skandale seksuale, të cilat CNA.al i ka renditur.

-Në vitin 2016, në media u publikua një audio-përgjim, ku kryetari i Gjykatës së Gjirokastrës, në atë kohë, Guximtar Boçi i kërkonte favore seksuale një gruaje 40-vjeçare në këmbim të vendosjes së drejtësisë për një çështje pronësie që  ajo kishte në gjykatë.

Në bisedë gjyqtari i pranon qytetares se e ka puthur në faqe, në zyrën e tij. Qytetarja thotë se e humbi gjyqin pasi nuk pranoi të bëhej e dashura e gjyqtarit.

Sipas saj, Boçi e kishte porositur gjyqtaren e çështjes për ta ndihmuar qytetaren teksa e ngacmonte atë, por, pasi qytetarja nuk pranoi lidhjen intime,  gjyqtari ndikoi tek kolegia e tij që qytetarja ta humbiste gjyqin.

Po në vitin 2016, një tjetër skandal i këtyre përmasave me një tjetër gjyqtar, u publikua në media.

-Gjyqtari i Beratit Shyqyri Çobo i kërkonte një gruaje marrëdhënie seksuale sipas “standarteve të BE-së”.

Sipas Prokurorisë për Krime të Rënda, Shyqyri Çobo e ka ngacmuar një grua, e cila ishte në proces divorci, me anë të mbi 300 telefonatave dhe 170 mesazheve të shkruara.

Pasi i kishte  premtuar avokat, gjyqtari i kishte kërkuar miqësi duke i telefonuar dhe dërguar shpesh sms një gruaje  për krijimin e një lidhjeje intime.

E frikësuar për faktin se refuzimi i prerë nga ana e saj do të sillte si pasojë humbjen në procesin gjyqësor ku ishte palë gruaja,  bëri denoncimin.

Çobo është dënuar me dy vite burg nga Krimet e Rënda.