JOQ Albania
Home

Publikohet shkresa, ky është militanti i PS-së që ‘ua suli’ policinë studentëve nëpër fakultete
Shkruar nga: S Bardhi | Publikuar më: 11/01/2019 12:16

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Pas disa orësh që përgjegjësia hidhej si top ping-pongu sa i takon pranisë së forcave të Policisë së Shtetit në ambientet universitare, tashmë është zbuluar se kush e ka lëshuar këtë urdhër.

Është administratori i Universitetit të Tiranës, Skerdi Dafa,  që i ka dërguar shkresë policisë për të ndërhyrë nëpër fakultete.

Sipas shkresës së publikuar nga Faxweb, administratori i UT-së, Skerdi Dafa, shprehet se prania e efektivëve është e nevojshme edhe për ruajtjen nga dëmtimi i ambienteve që kanë bërë disa individë. Po ndryshe nga sa thuhet në mediat pranë qeverisë, Dafa nuk është një emër i panjohur në PS.

Skerdi Dafa ka qenë më herët ish-zv.Drejtor i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, dhe ish-Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve të Elbasanit, ndërsa jo pak herë është cilësuar si militant. Bordet e Administrimit janë akuzuar dhe më herët si të kapura nga qeveria, ç’ka bën që Universitetet mos të kenë autonominë reale dhe të shumëkërkuara.

Në fakt prania e policisë jo vetëm që nuk ka normalizuar situatën, por studentët janë dhunuar në disa raste dhe kjo ka bërë që të jenë edhe më të vendosur për të drejtat e tyre tashmë të formuluara në 9 kërkesa.

Nuk mund të thuhet me siguri se cila ka qenë situata emergjente që ka çuar Rektoratin të bëjë një kërkesë të tillë, pasi studentët brenda fakulteteve nuk kanë as armë, as nuk po vjedhin dhe as nuk po fyejnë.

Ligji shprehet:

Ndërhyrja e organeve të rendit publik në mjediset akademike bëhet me kërkesën ose lejen e titullarit të institucionit të arsimit të lartë. Vetëm në rastet e kryerjes së një vepre penale flagrante, në raste e fatkeqësive natyrore dhe gjendjes së jashtëzakonshme, organet e rendit publik kanë të drejtë të ndërhyjnë edhe pa lejen e titullarit të institucionit të arsimit të lartë. Cënimi i paprekshmërisë së institucioneve të arsimit të lartë ndëshkohet sipas legjislacionit në fuqi.”