JOQ Albania
Home

Mosdekretimi i Cakaj, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë: Rama është treguar jotransparent
Shkruar nga: E Gjoni | Publikuar më: 11/01/2019 18:04

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Këshilli i Ambasadorëve të Shqipërisë, ka reaguar ditën e sotme, për propozimin e bërë nga kryeministri Rama, për të emëruar Gent Cakajn në postin e Ministrit të Jashtëm, i cili nuk u dekretua nga Presidenti i Republikës Ilir Meta.

Përmes një deklarate për mediat, Këshilli i Ambasadorëve është shprehur se propozimi i Cakës ka ngjallur mjaft shqetësim në mbarë opinionin publik.

Deklarata e Këshillit të Ambasadorve:

Kohët e fundit Kryeministri i Shqipërisë ka ndërmarrë disa ndryshime të rëndësishme në qeverinë që ai drejton, përfshirë këtu edhe shkarkimin e Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Zotit Ditmir Bushati dhe propozimin për në këtë post të zëvendministrit aktual, zotit Gent Caka.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë vlerëson se është krejtësisht në të drejtën politike dhe kushtetuese të Kryeministrit të bëjë ndryshime në qeveri, në përputhje me vlerësimet që ai ka lidhur me arritjet apo dobësitë e njërit apo tjetrit nga ministrat.
Por Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë tërheq vëmendjen me shqetësim te fakti se Kryeministri nuk ka kryer detyrimin e tij kushtetues për të bërë transparencën mbi arsyet që e kanë shtyrë atë të shkarkojë posaçërisht ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme. Nevoja për një transparencë të tillë buron nga roli specifik që ka institucioni i ministrit të jashtëm në përmbushjen e objektivave strategjike të shtetit shqiptar në këtë periudhë.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë vëren se kandidatura e përzgjedhur nga Kryeministri Rama për të emëruar Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, zotin Gent Cakaj, ka ngjallur një shqetësim të madh në një pjesë të gjerë të opinionit publik, përfshirë edhe shumicën e anëtarëve të këtij Këshilli.
Ky lloj kontestimi, i pashembullt për asnjë nga ministrat e jashtëm të Republikës së Shqipërisë gjatë këtyre 29 vjetëve demokraci, mbështetet në perceptimin publik të personalitetit të Zotit Caka si pa cilësitë e nevojshme profesionale për të mbajtur barrën e një detyre të tillë më rëndësi kombëtare. Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i tërheq vëmendjen Kryeministrit Rama ta rivlerësojë kandidaturën e ministrit në fjalë, duke mbajtur më mirë parasysh interesin publik dhe kombëtar."