JOQ Albania
Home

“Ai që merr lekë për lëndën ik hetoje e çoje në burg. Pse duhet të njollosem unë për 40 palaço?”
Shkruar nga: G Hasani | Publikuar më: 11/02/2019 14:17

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Ligji i Arsimit të Lartë ka mbërthyer në debat edhe sot deputetë e pedagogë në Komisionin e Edukimit dhe Medias në seancën dëgjimore me asamblenë e pedagogëve të Universitetit të Tiranës.

Pedagogu Rezart Prifti ka kërkuar që çdo pedagog që kërkon  lekë për lëndët apo librat të hetohet dhe të shkojë në burg. Sipas tij pedagogët e ndershëm nuk kanë pse të njollosen, për faj të 40 pedagogëve, palaço sikurse i ka quajtur ai.

Prifti tha:

Ai që merr lekë për lëndën ik hetoje e çoje në burg. Pse duhet të njollosem unë për 40 palaço? Është çështje mëndësie. Më ka ardhur një gjyshe dhe më ka lënë 200 euro mbi tavolinë.  I kam thënë “None nuk bëhet kështu”. Për të bërë libra nuk ka nevojë për Komision të Përgjithshëm. Njësoj si në kohën e qoftëlargut. Ku e njeh ti lëndën time që të vendosësh për mua? Mua më prekin këto gjëra. Ne po diskutojmë për gjëra të paprekshme. Ligjin e bëjmë si të doni por është çështje mëndësie. Janë gjëra shumë të thjeshta për t’u rregulluar nuk ka nevojë për shkencë."

Risjellim në vëmendje se pas dy muajve të bojkotit, studentët këtë javë do të rikthehen në auditore për të vijuar mësimin. Ata kanë paralajmëruar se mësimi do të vijojë normalisht, me përjashtim të një dite që do të jetë protestë, pasi studentët ende kërkojnë shfuqizimin e ligjit për Arsimin e Lartë.