JOQ Albania
Home

Përdhunimi i të miturës në Kavajë, reagon ashpër UNICEF: Zbulimi i identitetit shkakton trauma të mëdha
Shkruar nga: G Hasani | Publikuar më: 11/02/2019 17:34

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Pas përdhunimit të 13-vjeçares në shkollën "Rilindja" në Kavajë ka reaguar edhe UNICEF, që dënon jo vetëm dhunën seksuale, por edhe mbulimin e bërë në media dhe zbulimin e identitetit të familjarëve të viktimës.

UNICEF nëpërmjet një deklarate thekson se zbulimi i identitetit mund të shkaktojë trauma më të mëdha te të mbijetuarit, që tashmë janë të shkatërruar.

Deklarata e plotë:

Dhuna ndaj fëmijëve, veçanërisht dhuna seksuale, është një nga format më të këqija të abuzimit të fëmijëve dhe paraqet shkelje të drejtpërdrejtë të të drejtave të tyre. Dhuna është gjithashtu një sulm moral dhe etik ndaj vlerave tona më të çmuara. Dhuna seksuale çon në shqetësime fizike dhe emocionale, dhe shpesh humbje të parevokueshme të dinjitetit dhe vetëbesimit.
UNICEF shpreh shqetësimin e tij të thellë lidhur me rastet e fundit të dhunës së rëndë kundër fëmijëve. Në disa prej këtyre rasteve, çështjet më të ndjeshme u shpërfillën dhe në vend të kësaj, privatësia dhe dinjiteti i fëmijëve u shfaqën publikisht në mënyrë të përsëritur.
Mbulimi i medies, është padyshim një pjesë e domosdoshme e luftës për të parandaluar abuzimin seksual të fëmijëve, megjithatë një publicitet jo i domosdoshëm, i bujshëm për çështje te ndjeshme, mund të shkaktojë trauma më të mëdha të të mbijetuarve, tashmë të shkatërruar prej abuzimit,edhe familjeve dhe komuniteteve të tyre në përgjithësi.
Prandaj, UNICEF-i i bën apel të gjitha institucionet publike dhe jopublike, anëtarët e komunitetit, profesionistët për mbrojtjen e fëmijëve dhe gazetarët që të mbajnë interesin më të lartë të fëmijës, të garantuar me Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës si dhe në Ligjin Shqiptar “Për të drejtat dhe mbrojtjen fëmijës” në zemër të etikës së tyre profesionale. Respektimi i privatësisë së fëmijëve, dinjiteti, mirëqenia e tyre mendore dhe fizike, duhet të vendosen mbi te gjitha motivet që na shtyjnë në qëndrimin tonë profesional ose personal."