JOQ Albania
Home

Ligji i pagave në Kosovë, sindikatat kërkojnë kthimin e tij në Kuvend për shkak të diskriminimit
Shkruar nga: E Gjoni | Publikuar më: 11/02/2019 17:33

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Ligji për pagat i miratuar në Kuvendin e Kosovës më 2 shkurt, vazhdon të kundërshtohet nga disa sindikata të punëtorëve në sektorin publik.

Shumë deputetë e patën cilësuar atë si një nga vendimet e mëdha, e madje edhe historik, për rregullimin e sistemit të shpërndarjes së pagave në sektorin publik, ndërkohë janë shtuar ankesat ndaj këtij ligji për mospërfshirje të disa kategorive.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli patën deklaruar se me miratimin e këtij ligji janë respektuar standardet më të mira, duke vlerësuar meritat e secilës kategori që paguhet nga buxheti i shtetit. Ky ligj, u tha se siguronte rritje të pagave për 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik.

Por, aktualisht në Zyrën e Presidentit të Kosovës, kanë shkuar disa ankesa nga sindikata të ndryshme, duke kërkuar mosnënshkrimin e ligjit, procedurë kjo që mundëson hyrjen në fuqi të ligjit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se do t’i shqyrtojë me kujdes vërejtjet e të gjitha kategorive, para se të nënshkruajë ligjin.

Kryetari i Sindikatës së Shërbimit Civil të Kosovës, Mursel Zymberi, tregon se kanë dërguar ankesë në Zyrën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të njëjtën ankesë e kanë dërguar edhe te shtetet e Quintit në Kosovë.

Kjo sindikatë vlerëson se ligji është diskriminues dhe shkelë parimet që i përcakton vet ligji në fjalë.

Deklarata e Zymberit:

Ne nuk e kemi merituar këtë degradim çfarë na është bërë dhe në asnjë mënyrë nuk mund të pajtohemi me këtë përshkallëzim që na ka ndodhur. Në kapitullin hyrës të këtij ligji thuhet se do të ketë ‘pagë të njëjtë për punën e njëjtë’ dhe të ngjashme.
Përderisa për punën e njëjtë njëri sektor me sektorin tjetër dallojnë me mbi 250 euro.”

Ndërkaq, në Sindikatën e Bashkuar për Arsim Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), thonë se mosratifikimi i këtij ligji do të ishte i mirëseardhur edhe pse ankesë zyrtare në Zyrën e Presidentit të Kosovës nuk kanë dërguar.

Punonjësit e arsimit të cilët kanë mbajtur grevë 14-ditore, kanë përfituar rritje të pagave në bazë të këtij ligji.