JOQ Albania
Home

“E gjetën në tualetin e qendrës tregtare të qethur e të veshur me lecka”, jepet versioni zyrtar i denoncimit për rrëmbim
Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 12/02/2019 16:01

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Një rast i denoncuar si rrëmbim qarkulloi me shpejtësi ditën e sotme në rrjetet sociale.

Bëhej fjalë për një rast rrëmbimi, që supozohej se kishte ndodhur në një prej qendrave tregtare më të mëdha në vend.

Në status shkruhej se një fëmijë ishte rrëmbyer. Pas shumë kërkimesh, shkruhej në status, vajza është gjetur në tualetin e qendrës tregtare e qethur dhe e veshur me lecka.

Qendra tregtare e përmendur në denoncim, ka reaguar me një njoftim në lidhje me ngjarjen.

Në njoftim shkruhet:

Përgënjeshtrim

Njoftojmë klientët tanë dhe publikun e interesuar se sot Toptani Shopping Center është vënë në dijeni të një pretendimi serioz por totalisht të pavërtetë nga një qytetar në një rrjet social.

Sipas këtij pretendimi, dikush ka tentuar të kryejë një vepër kriminale në ambientet e qendrës, por pa arritur ta realizojë atë.

Pas njohjes me tregimin e qytetarit, dhe pavarësisht se ai nuk përmban ndonjë fakt, provë apo të dhënë rrethanore, Toptani Shopping Center ndërmori veprime verifikuese.

Asgjë nuk rezulton nga këqyrja e kujdesshme e kamerave të sigurisë, as nga verifikimet me stafin e sigurisë, apo me stafin tjetër të qendrës dhe dyqaneve.

Gjithashtu, nuk ka asnjë ankesë, dëshmi apo reagim nga ndonjë klient i qendrës.

Si një sipërmarrje e vëmendshme, e ndjeshme dhe proaktive ndaj konsumatorit, nëpërmjet këtij mesazhi zyrtar, dëshirojmë t’ju sigurojmë dhe garantojmë se ky është një lajm i pavërtetë, i trilluar dhe qarkulluar nga individë jo – dashamirës ndaj qendrës të cilët synojnë cënimin e imazhit të saj, dëmtimin e interesave ekonomikë dhe stepjen konsumatore.

Ndaj, ftojmë çdo qytetar që mund të jetë afektuar nga ky keqinformim i qëllimshëm, tejet i shëmtuar dhe propagandë e verdhë, të distancohen dhe mos të bien pre e tymnajave dashakeqe të cilat nuk kanë asnjë të vërtetë, kjo e fundit lehtësisht e verfikueshme.

Duke garantuar çdo qytetar për integritetin, seriozitetin dhe korrektësinë e veprimtarisë tonë, si dhe duke ndërmarrë të gjitha hapat ligjorë për këtë shpifje të shëmtuar, përgënjeshtrojmë këtë narrativë të trilluar e cila është në dëm të qytetarëve, opinionit publik dhe sipërmarrjes ekonomike.

Policia e Shtetit ka reaguar gjithashtu dhe ka deklaruar se nuk ka patur fëmijë të rrëmbyer apo ngjarje të tillë në asnjë prej qendrave tregëtare të qytetit të Tiranës.

Njoftimi i policisë:

Tiranë

Në lidhje me një lajm të publikuar në rrjetet sociale ku pretendohet se në një qendër tregëtare të Tiranës është rrëmbyer një fëmijë, i cili më pas është gjetur i keqtrajtuar në një nga tualetet e qendrës tregëtare, ju bëjmë me dije se:

Nuk ka patur fëmijë të rrëmbyer apo ngjarje të tillë në asnjë prej qendrave tregëtare të qytetit të Tiranës. Gjithashtu sqarojmë se në numrin e Emergjencave 112 nuk ka patur telefonatë për fëmijë të humbur në ambientin e ndonjë qendre tregëtare, si dhe para organeve të rendit nuk ka patur kallzim për një çëshje të tillë.

Policia e Shtetit fton qytetarët që për çdo paligjshmëri që evidentojnë të telefonojnë në numrin papagesë 112, ose të raportojnë në aplikacionin e “Komisariatit Dixhital” duke garantuar shërbim të sigurtë dhe në kohë.