JOQ Albania
Home

U shpall në kërkim për vrasjen e Jurgen Kurtit, flet Dervis Arapi: Nuk ndjeva dhembshuri, u përmbush vullneti i Zotit!
Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 20/03/2019 16:02

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Dervis Arapi, djali i Agim Arapit, burrit që mbeti i vrarë pas një konflikti për aspiratorin e picerisë së tij në qytetin e Durrësit rreth një vit më parë, ka folur mbi lajmin e shpalljes në kërkim nga policia.

I riu ka deklaruar se nuk e kishte menduar kurrë të hakmerrej për vrasjen e të atit. 33-vjeçari është shprehur se kur ka marrë vesh lajmin nuk ka ndjerë dhembshuri dhe thjesht ka menduar se ishte përmbushur vullneti i Zotit.

Ai ka pohuar për mediat se nuk ka lidhje me vrasjen e Jurgen Kurtit dhe se është besimtar i rregullt e falet 5 vakte.

Arapi shton se është i hapur të dëshmojë dhe thotë se nëse është e nevojshme kthehet në Shqipëri.

Ai ka deklaruar për Panorama:

Pikë së pari dua të shpreh ngushëllimet e mija për familjen Kurti për humbjen e djalit të tyre. Unë jam besimtar dhe falem pesë vakte. Ndaj e nisa këtë prononcim për ju me ngushëllim. Të dalim tek ngjarja. Unë dhe familja ime nuk kemi asnjë lidhje me vrasjen e Jurgenit. Jemi në dispozicion të policisë në çdo moment. Unë jam i hapur të dëshmoj, nëse policia ka nevojë për deklarimin tim. Aktualisht unë ndodhem në Itali, në zonën e Aleksandrisë ku punoj e jetoj prej vitesh. Nëse policia ka nevojë për mua unë jam i gatshëm të deklaroj. Por sikurse theksova aktualisht jam në Itali. Nëse është e mundur policia le të më telefonoj dhe unë i përgjigjem pyetjeve. Që të jemi të qartë nuk po fshihem fare. Nëse policia nuk do të më intervistojë me telefon, nëse ata kanë interes unë vij në Shqipëri. Nuk kam pasur kurrë ndërmend të hakmerrem për vrasjen e babait tim. Unë gjithçka ia lë në dorë Zotit dhe di ai çfarë bën me ata që ngatërrohen dhe iu bien në qafë të tjerëve. Pra, të jem i sinqertë, ne fajësojmë Jurgenin për nisjen e konfliktit me babain tim, ishte ai shkaktari i gjithçkaje. Në momentin që morëm vesh lajmin për vrasjen e tij, të jem i sinqertë nuk ndjeva dhembshuri, thjesht thashë me vete u përmbush vullneti i Zotit. Pra unë gjithçka e lidh me besimin. Policia tani të gjej kush e ka kryer këtë vrasje. Unë dhe familja ime jemi në dispozicion të policisë kur dhe ku të duan hetuesit që po merren me zbardhjen e kësaj ngjarjeje.”