JOQ Albania
Home

Terrorizonte minorenët dhe i detyronte të shpërndanin drogë, shkatërrohet rrjeti kriminal i drejtuar nga 24-vjeçari shqiptar
Shkruar nga: L Çela | Publikuar më: 20/03/2019 17:07

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Autoritetet italiane pas një periudhe të gjatë hetimesh arritën të shkatërrojnë një rrjet të madh të shpërndarjes së drogës, dhunës dhe grabitjeve, të udhëhequr nga një 24-vjeçar shqiptar sëbashku me dy bashkëpunëtorë të tij 20-vjeçar me të njëjtë kombësi.

Prej kohësh hetuesit kishin rënë në gjurmët e grupit, pas një serie episodesh të shpërndarjeve të lëndëve narkotike dhe dhune, në ambientet e frekuentuara nga të rinjtë, kryesisht minorenë.Në fillim dukeshin si ngjarje të izoluara, por pas një vëzhgimi më të hollësishëm është zbuluar i gjithë rrjeti.

Vetëm falë bashkëpunimit të shumë viktimave është bërë e mundur lidhja e të gjithë episodeve dhe aktivitetit të 24-vjeçarit shqiptar. Ky i fundit kontrollonte shpërndarjen e lëndëve narkotike, ndërsa nëpërmjet premtimeve për fitimin e të ardhurave në mënyrë të shpejtë, kishte përfshirë në rrjet shumë studentë, në të shumtën e rasteve minorenë.

Ndaj tyre shqiptari përdorte edhe dhunën, në rastet kur nuk arrinin ta shpërndanin lëndën narkotike në kohë. Kjo për shkak se duhet të shlyenin dëmin financiar për vonesën. Në disa raste edhe nëpërmjet kërcënimit të armëve, shqiptari mbante një klimë terrori ndaj bashkëpunëtorëve të tij, të cilët nuk patën guximin për ta denoncuar.

Barriera u thye në momentin kur një 18-vjeçar në përballjen me shqiptarin u godit dhe u gjakos nga ky i fundit, i cili e kërcënoi edhe me një pistoletë. Falë guximit të tij, edhe minorenët e tjerë, denoncuan terrorin ndaj tyre. Pas marrjes së dëshmive, shqiptari dhe dy bashkëpunëtorët e tij përfunduan pas hekurave.