JOQ Albania
Home

Miliona lekë në llogari të së bijës, zbulohet pasuria marramendëse e prokurorit të Lushnjës
Shkruar nga: E Gjoni | Publikuar më: 20/03/2019 18:47

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Çlirim Shahini, Drejtuesi i Prokurorisë së Lushnjes, do të përballet ditën e enjte me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Ky proces rivlerësimi do të kryhet nga trupa gjyqësore e përbërë nga Suela Zhegu, Brunlida Bekteshi dhe Xhensila Pine.

Shahini e ka nisur karrierën në sistemin e Prokurorisë fillimisht si oficer i Policisë Gjyqësore. Ai është emëruar prokuror në Sarandë në vitin 2004 dhe e ka ushtruar funksionin atje deri në vitin 2016, ku me dekret të Presidentit të Republikës u transferua si drejtues i Prokurorisë së Lushnjes.

Një raport i publikuar nga BIRN, paraqet analizën dhe ndryshimin e pasurisë së deklaruar nga Çlirim Shahini nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.

Të dhënat e analizuara tregojnë se prokurori Çlirim Shahini nuk zotëronte asnjë pasuri në vitin 2003, kur u bë subjekt i deklarimit të pasurisë. Në fund të vitit 2017, pasuria e tij familjare kap vlerën e 13.3 milionë lekëve.

Pasuritë e paluajtshme përbëjnë zërin kryesor të aseteve me vlerë 10.5 milionë lekë. Prokurori deklaron gjithashtu 2.3 milionë lekë kursime bankare, 150 mijë lekë kursime në cash dhe automjet me vlerë rreth 390 mijë lekë.

Ndërsa të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 22.1 milionë lekë. Rreth 90% e të ardhurave kanë si burim pagën nga funksioni dhe pagën e bashkëshortes, ndërkohë që familja e prokurorit ka përfituar edhe 1.2 milionë lekë nga ekzekutimi i një vendimi të Gjykatës së Sarandës për anulimin e shitjes së një trualli.

Drejtuesi i Prokurorisë së Lushnjes rezulton 13 vite pa probleme dhe një vit me diferenca negative mes të ardhurave dhe aseteve.

Shahini nuk arrin të justifikojë shtesën e pasurisë për vitin 2015, me një diferencë negative prej rreth 945 mijë lekësh. Ai deklaron një llogari bankare në emër të së bijës me vlerë 1.8 milionë lekë këtë vit, me shpjegimin se kursimet datojnë nga viti 2012, por që nuk rezultojnë në deklaratat e mëparshme.

Në vitin 2011, prokurori Çlirim Shahini deklaroi se zotëronte ¼ e një objekti 5-katësh në Virua të Gjirokastrës, i përfituar nga babai dhe xhaxhallarët e tij nga privatizimet në vitin 1995. Subjekti e shpjegon deklarimin e vonë të kësaj pasurie me faktin se “dokumentacionin e zotëronte njëri nga vëllezërit e babait dhe unë tani jam vënë në dijeni”.

Në vitin 2013, ai deklaron pronësinë mbi 7289 m2 troje dhe arë, por në deklaratën përkatëse mungojnë të dhënat e burimit të kësaj pasurie.

Një tjetër jo i mirë, i identifikuar është marrja e një huaje prej 35 mijë eurosh në vitin 2014 me afat shlyerje prej 10 vitesh. E konvertuar në lekë, huaja ka shërbyer si burim për ndërtimin e një shtëpie 2-katëshe +papafingo në Sarandë, e deklaruar në vlerën e 10.5 milionë lekëve.