JOQ Albania
Home

Goditet grupi kriminal i strukturuar, këta janë 10 personat e arrestuar sot në Vlorë
Shkruar nga: E Gjoni | Publikuar më: 20/03/2019 19:29

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Një rrjet trafikantësh është goditur ditën e sotme në Vlorë ku janë arrestuar 10 persona.

Operacioni policor i koduar "Petruna", për kapjen dhe arrestimin e tyre është zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, Departamenti i Policisë Kriminale nën drejtimin e  Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë.

Në gjirin e Petrunës janë sekuestruar 328 kg kanabis si dhe dy mjete lundruese “gomone”. Operacioni për arrestimin e 10 trafikantëve ka nisur tre ditë më parë dhe vetëm sot është bërë i mundur finalizimi me sukses i tij.

Si rezultat i operacionit u bë arrestimi në flagrancë i 2 shtetasve dhe ndalimi i 8 personave anëtarë të një grupi kriminal të strukturuar.

Të arrestuarit janë:

Ç., 35 vjeç, banues në Orikum  Vlorë, në rolin e  organizatorit
D., 45 vjeç, banues në Vlorë, në rolin e organizatorit
Gj., 22 vjeç, banues në Orikum Vlorë, në rolin e  organizatorit.
Xh. H., 26 vjeç, banues në  Orikum Vlorë,  anëtar i grupit kriminal
K., 27 vjeç, banues në Dukat Vlorë,anëtar i grupit kriminal
S, 45 vjeç, banues në Vlorë, anëtar i grupit kriminal
P., 29 vjeç, banues në Vlorë, anëtar i grupit kriminal
M., 40 vjeç, banues në Vlorë, anëtar i grupit kriminal.
H.B, 51 vjeç, banues në Dukat Vlorë, antar i grupit kriminal
A.B., 19 vjeç, antar i grupit kriminal.

Operacioni nisi tre ditë më parë me kërkimin dhe gjetjen e dy mjeteve lundruese, që dyshohej se këta shtetas do t’i përdornin për të trafikuar lëndën narkotike drejt Italisë. Organizatorët e këtij grupi kriminal, për t’iu shmangur policisë kishin parkuar në vendbazimin e gomoneve, mjete të tjera lundruese  të prishura, ndërsa dy mjetet e rregullta u gjetën nga Policia, njëra në gjirin e Shën Janit dhe tjera në Dukat të Vlorës.

Më pas është bërë krehja e një zone të gjerë në Karaburun, ku në gjirin e Petrunës, forcat policore bënë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e lëndës narkotike të fshehur, me peshë totale 328 kg, si dhe arrestimin në flagrancë të shtetasëve O.P dhe E.M, të cilët po ruanin lëndën narkotike.

Në këtë operacion policor  janë përfshirë rreth 80 forca policore, Prokurorë të Prokurorisë për Krimet e Rënda,  mjete lundrimi të Delta – Forcës, Policisë Kufitare si dhe mjete të Policisë të DVP-Vlorë.