JOQ Albania
Home

E ekzekutoi te Liqeni në sy të djalit të mitur, vetëdorëzohet në polici autori i ngjarjes
Shkruar nga: E Gjoni | Publikuar më: 20/03/2019 20:41

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Në 16 mars një ngjarje e rëndë tronditi Tiranën, pasi në parkun më të frekuentuar nga qytetarët, një 62-vjeçar u  ekzekutua me armë zjarri. Policia bëri me dije se viktima ishte shtetasi Haxhi Baçinozi, 62-vjeç, nga Mallakastra por prej shumë vitesh jetonte në Tiranë.

Dyshohet se shkak për ekzekutimin e tij ka qenë një borxh i pashlyer prej 46 mijë eurosh midis tij dhe njërit prej autorëve të vrasjes I. M.

Haxhi Baçinozi ka lindur më 2 korrik të vitit 1957. Më 30 janar 1982, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi viktimën me 10 vjet heqje lirie dhe humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë, nën akuzën e "agjitacion e propagandës".

Baçinozi u dënua sërish më 3 qershor 1984, kësaj radhe me 21 vjet heqje lirie dhe humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë për "veprën e terrorit në bashkëpunim".

Lidhur me ngjarjen e rëndë, policiaarrestoi një person. Bëhet fjalë për 56-vjeçarin Myftar Pasha, i cili ka qenë mik me autorin e vrasjes.

Myftar Pasha ka dëshmuar në polici edhe sesi ka ndodhur e gjithë ngjarja e rëndë. Ai ka thënë se kur e ka telefonuar I. M. (autori i vrasjes), ai ishte nga Liqeni.

I.M i ka thënë se edhe ai do dilte nga Liqeni e të takoheshin bashkë. Miku i autorit të vrasjes, Myftar Pasha është shprehur se ishin duke ecur kur përballë kishin ndeshur viktimën bashkë me të birin.

Dëshmia e Pashës:

Ishim duke ecur kur përballë nesh doli Baçinozi bashkë me të birin. Islami më tha se kush po e duron këtë tani, do më kujtojë lekët që i kam borxh. Edhe vërtet ashtu ndodhi. Baçinozi e ofendoi. Ata u përleshën derisa në një moment Islami nxorri pistoletën dhe shtiri disa herë mbi trupin e tij."

E ndërsa pak minuta më parë atori i ngjarjes së 16 marsit, I. M. është vetëdorëzuar në polici në praninë e avokatit. Shtetasi I. M. është 61 vjeç nga Fieri.

Njoftimi i Policisë:

Pas një pune të mirëfilltë hetimore dhe profesionale, të bërë nga grupi i posaçëm hetimor i ngritur në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në drejtimin e Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, për zbardhjen e vrasjes së ndodhur më datë 16 mars 2019, rreth orës 18:15, tek Liqeni Artificial, ku mbeti i vrarë me armë zjarri, shtetasi H. B., 62 vjeç, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe dokumentimi me prova ligjore i autorësisë së kësaj ngjarje. Pas trysnisë së madhe të ushtruar nga Policia e Tiranës, kontrolleve të shumta për kapjen e autorit, si dhe negociatave të bëra mes Policisë dhe avokatit të autorit të dyshuar, autori i dyshuar, shtetasi I. M., 61 vjeç, nga Fieri, rreth orës 19.30 është vetëdorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë i shoqëruar nga avokati i tij. Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë veprimet e mëtejshme proceduriale."