JOQ Albania
Home

Shqipëria si parajsë për pastruesit ndërkombëtarë të parave, dy vëllezërit indianë ndërtojnë pallate në Tiranë
Shkruar nga: E Gjoni | Publikuar më: 20/03/2019 21:54

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Dy vëllezërit Sandesara, të cilët akuzohen për një skemë pastrimi parash prej 725 milionë dollarësh amerikanë, aktualisht janë duke ndërtuar pallate në Shqipëri. Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara janë pjesë e një skandali gjigant financiar, i cili përfshin edhe Shqipërinë.

Këta dy shtetas indianë, vëllezër me njëri-tjetrin janë dy më të kërkuarit në botë ku akuzohen për zhdukjen e 725 milionë dollarëve amerikanë.

Dy vëllezërit Sandesara janë të lirë pavarësisht se gjykata e New Delhit i ka shpallur ata në kërkim, madje ata kanë krijuar një aktivitet të tyrin në Shqipëri.

Nitin Sandesara
dhe Chetankumar Sandesara janë duke ndërtuar pallate në Shqipëri nëpërmjet dy kompanive të themeluara nga ata, "Tulja Real Estate" dhe "Laxmi Real Estate", të cilat verifikohen lehtësisht në dokumentet e regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB).
Një nga këto kompani, "Laxmi Real Estate", sipas "Fax Web" është duke ndërtuar pallat bashkë me një kompani shqiptare, në buzë të Liqenit të Thatë.

Dy vëllezërit indianë, kanë qenë pronarët e kompanisë farmaceutike "Sterling Biotech" në Indi. Gjatë viteve 2008-2011 kanë marrë mbi 725 milionë dollarë kredi nga disa banka shtetërore të Indisë, dhe nuk i kanë depozituar ato në llogarinë e Sterling.

Sipas drejtësisë në New Delhi, paratë janë zhdukur përmes një rrjeti prej 300 kompanish offshore të ngritura nga vetë vëllezërit Sandesara.
Gjatë kohës që ishin në kërkim nga autoritetet indiane dhe skandali ishte bërë publik edhe në mediat ndërkombëtare, dy vëllezerit Sandesara kanë mbërritur në Shqipëri.

Madje në 6 shkurt të vitit të kaluar, kur kërkoheshin në të gjithë planetin, ata kanë arritur të marrin nënshtetësinë shqiptare, një proces gjatë së cilit cdo individ I huaj kalohet në sitë nga shërbimi informativ shtetëror dhe autoritetet e tjera të rendit.
Ky është dyshimi i parë i fortë se si shish ka lejuar dhënien e nënshtetësisë për dy persona, të cilët jo vetëm ishin në kërkim ndërkombëtar, por I kishin emrat të botuar në mediat ndërkombëtare për pastrim parash.

Lajmi bëri bujë kur Agjencia e Krimit Ekonomik në Indi arrestoi drejtorin e "Andra Bank", i cili u kishte dhënë kreditë vëllezërve Sandesara. Pronat e "Sterling Biotech" u konfiskuan dhe dy vëllezërit u arratisën nga India.

Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara janë strehuar në Shqipëri dhe kanë nisur aktivitetin në ndërtimin e pallateve në Tiranë, në një nga zonat më të shtrenjta, në Liqenin e Thatë.
Por skandali me dy vëllezërit indianë më të kërkuar të planetit nuk përfundon me kaq.

Vitin e kaluar ata kanë marrë nënshtetësinë shqiptare nga presidenti Ilir Meta, ndërkohë që dhe SHISH nuk ka bërë asnjë kërkim për ta.