JOQ Albania
Home

Çmontohen municionet e 1997 që gjendeshin në lagjet e qytetit verior
Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 15/04/2019 13:26

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Katër predha anti-tank dhe një granatë dore që ndodheshin në një lagje të Shkodrës janë demontuar pasi krijonin rrezik për banorët.

Në operacionin e heqjes së kësaj sasie municioni janë angazhuar struktura speciale për eleminimin e materialeve të rrezikshme EOD e batalionit të Xhenios në Komandën Mbështetëse.

Municionet u gjetën në ambientet e një magazine të braktisur në lagjen Dobraç të qytetit të Shkodrës, e cila i përkiste “Institutit të misrit”, tashmë i privatizuar. Ekspertët e kompanisë EOD, morën masa për sigurimin e vendit dhe nëpërmjet automjeteve speciale, bënë të mundur transportimin e predhave dhe magazinimin e tyre në depot ushtarake të batalionit të Xhenios.

Alarmin për prezencën e këtij municioni e dha pronari i këtij objekti, i cili duke pastruar ambientet e kësaj godine ka evidentuar sasinë e municioneve luftarake.  Specialistët  EOD  pasi evidentuan prezencën e municioneve luftarake, konstatuan se bëhej fjalë për 4 predha GHLKT “Granatë Hedhës i Lehtë Kundër-Tank” si dhe 1 granatë dore mësymëse.

Për shkak të llojit të tyre, municionet e gjetura në magazinë, dyshohet të jenë marrë nga depot e Forcave të Armatosura në vitin 1997.