JOQ Albania
Home

Detaje të reja nga grabitja në Rinas, celulari i gjetur në furgon dërgohet për ekspertizë në Izrael
Shkruar nga: L Çela | Publikuar më: 15/04/2019 20:52

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Hetuesit nuk kanë arritur të gjejnë asnjë provë në celularin e gjetur brenda furgonit që u përdor për grabitjen në Rinas. Celulari është i pakoduar dhe sipas kontrolleve paraprake, nuk ka pasur të regjistruar asnjë thirrje zanore.

Vizion Plus raporton, se celulari do të dërgohet në Izrael, për t’iu nënshtruar kontrolleve më të imtësishme. Ndërkohë nga ekspertiza e makinës së djegur në Dritas, hetuesit nuk kanë arritur të gjejnë asnjë gjurmë nga grabitësit.

E vetmja provë që ekspertët kanë në duar është furgoni me mbishkrimin "Hetimi Tatimor". Ky i fundit rezulton se është i modifikuar, pasi shasia e tij është e zëvendësuar me shinë treni. Për këtë arsye ka filluar kontrolli nëpër servise.

Njëkohësisht po zhvillohen kontrolle për të gjetur dyqanin ku është blerë maska e përdorur nga Admir Murataj gjatë grabitjes, si dhe po verifikohen disa biznese ku është e printuar logo "Hetimi tatimor". Prokurorët e çështjes, Besnik Muçi, Arens Çela dhe Klodian Braho, kanë sekuestruar të gjithë raportet e shërbimit në aeroport, për të parë nëse koncesionari i ka zbatuar si duhet detyrimet.

Ndërkohë ekspertiza ka vërtetuar se Murataj ka qëlluar në drejtim të policisë, pasi në duart e tij janë gjetur mbetje baruti.  Në vendngjarje policia ka gjetur mbi 100 gëzhoja të kalibrave të ndryshëm. Ndërkohë procedimi penal është regjistruar mbi 4 akuza, "Shpërdorim detyre", "Krijimi i grupit të strukturuar kriminal", "grabitje me armë" dhe "vrasje e punonjësit të policisë e mbetur në tentativë".