JOQ Albania
Home

Igli Tare komenton Rejën dhe tregon të ardhmen: Ja e vërteta për kalimin te Milani
Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 06/06/2019 16:31

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Igli Tare vazhdon të jetë i sukseshëm në Itali. Falë menaxhimit të tij thuajse perfekt, Lazio ka arritur suksese të jashtëzakonshme vitet e fundit, teksa këtë sezon fitoi edhe Kupën e Italisë.

Së fundmi, në një intervistë të gjatë të dhënë për “Top Channel”, Tare ka folur për gjithçka, duke analizuar Kombëtaren dhe afrimin e Edi Rejas, Përfaqësuesen e Kosovës, Kategorinë Superiore dhe mundësinë e një kalimi të mundshëm te Milani.

Merkatoja? "Tani është periudha më e vështirë, për të përgatitur një sezon futbollistik. Kur skuadra është në periudhën e pushimeve është detyra e Drejtorit që të merret me përgatitjen e sezonit që vjen, me shit-blerjen e lojtarëve dhe mbi të gjitha për të krijuar onigramën e duhur për ta nisur sezonin në mënyrën e duhur."

Milani? "Nuk ka ta bëjë me dëshirën time, nuk mund të shikoj përpara duke parashikuar të ardhmen. Ajo çfarë është e rëndësishme është momenti i tanishëm dhe të jemi i lumtur e të ndjehem mirë. Për të pasur sukses në fushën time është se duhet të kesh entuziazmin e duhur dhe të jesh i rrethuar në një ambient pozitiv. Kjo është një nga ato gjerat kryesore që krijon pastaj edhe suksesin. Për sa i përket të nesërmes nuk mund ta parashikoj, sepse unë e quaj Lacion, një klub shumë të madh. Por duke qenë se jam një profesionist, gjithçka mund të ndodhë në botën tonë."

Edi Reja? "Besoj se është njeriu i duhur në vendin e duhur, në momentin e duhur. Zgjedhja që ka bërë kombëtarja shqiptare besoj se është e duhura. Por çdo gjë është e lidhur me rezultatet, duhet të jenë ato që duhet të japin edhe atij mbështetjen për ta konfirmuar atë çfarë unë thashë. Eksperienca e madhe që ai ka, mënyra për të trajtuar momentet negative në një skuadër, besoj se brenda kontekstit të kombëtares shqiptare që është e ndërtuar me një miks lojtarësh me eksperiencë dhe shumë të rinj, eksperienca e tij do të jetë ndoshta e çelësi i suksesit për dy vitet e ardhshme."

Shqipëria e Panuçit? "Nuk mund të quhet një trajner i ri, apo i vjetër. Ajo që është më e rëndësishme është se çfarë fryme sjell një trajner në një skuadër. Ndoshta fryma që solli Pannuci në kombëtare nuk ishte ajo e duhura për të ndezur atë shkëndijë të duhur pas një Evropiani të suksesshëm. Fakti që trashëgoi një skuadër pas një suksesi historik dhe tranzicioni nga një skuadër në një tjetër duhet të ishte i shoqëruar edhe nëpërmjet disa rezultateve pozitive që ai nuk i pati dhe kjo e bën akoma edhe më tragjike qëndrimin e tij në kombëtaren shqiptare. Besoj se zgjedhja e bërë për ta larguar nga skuadra ishte e duhura dhe duhet t’i jepet kohë skuadrës për të gjetur ato ekuilibra të duhur. Besoj se ato kualitete që janë, janë të mjaftueshme për një skuadër, për të luftuar të paktën për vendin e dytë ose të tretë."

Kosova? "Nuk e shoh si prishje pune, Kosova tashmë është një realitet i njohur dhe duhet pranuar nga të gjithë. Kosova ka një shembull shumë të mirë, sepse kalimi nga trajneri i parë në të dytin, me zviceranin, i cili është një trajner me shumë eksperiencë. Ka gërshetuar shumë mirë individualitetin me talentin e përvojën e disa lojtarëve. Ka krijuar një entuziazëm shumë të madh, kjo është për t’u përshëndetur dhe për t’u admiruar. Por nga ana tjetër çdo e keq e ka një të mirë. Për kombëtaren shqiptare do të hapet një punë shumë e madhe, mbi të gjitha përsa i përket futbollit në Shqipëri, investimi për infrastrukturën e klubeve do të ishte çelësi si suksesit për të ardhmen. Gjeneratat e reja me kalimin e 2-3 viteve do të japin një skuadër më të formuar. Por me afrimet e reja kjo gjë mund të jetë edhe më e përshpejtuar."

Kategoria Superiore? "Fitimi i kampionatit nga Partizani është një gjë shumë e mirë për futbollin në Shqipëri, sepse është skuadra më e dashur në Shqipëri. Jam rritur në atë klub, ky fakt me ka gëzuar edhe mua shumë. Gega ka qenë edhe një ish-kolegu im në skuadër, puna e bërë prej tij ka qenë me të vërtetë për t’u admiruar. Por, mbi të gjitha diferencën e ka bërë mirëorganizimi i strukturës së klubit, me figurat e duhura, sepse Olsi Rama është një drejtor i ri, ka një karakter që është shumë i domosdoshëm për futbollin shqiptar, sepse është njeri i qetë. Fakti që kanë krijuar edhe një klub të mirë brenda skuadrës është diçka shumë pozitive”.