JOQ Albania
Home

Kërkon të kontrollojë edhe portalet, Komiteti i Helsinkit kritika të ashpra për propozimin e Ramës
Shkruar nga: L Çela | Publikuar më: 10/07/2019 19:32

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka lëshuar një sërë kritikash për qeverinë, përsa i përket paketës anti-shpifje. Kjo paketë prek më së shumti mediat online, që mund të gjobiten dhe mund të mbyllen përfundimisht. Në vlerësimin e tij, Komiteti ka shprehur shqetësimin për AMA-n e cila do të funksionojë si gjykatë, duke thënë se nuk është e pavarur nga politika, shkruan Reporteri.

Erinda Skëndaj, e cila është një nga juristet e Komitetit të Helsinkit shkruan:

Propozohet që autoritetit të medias t’i i rriten kompetencat dhe përgjegjësitë në drejtim të mbikëqyrjes dhe sanksionimit të medias, [por] nuk vërehen ndryshime në përbërjen e autoritetit dhe mënyrës së zgjedhjes së anëtarëve të tij.

AMA përbëhet nga shtatë anëtarë, të cilët zgjidhen nga parlamenti, por propozimi i qeverisë, parashikon krijimin e një këshilli me tre anëtarë, i cili zgjidhet nga bordi. Ky këshill do të luajë rolin e gjykatës duke vënë gjoba deri në 1 milion lekë për mediat online që gjykohet se kanë kryer shkelje dhe pa konsideruar nëse është media e madhe apo blog personal.

Skëndaj shtoi:

Ky është një moment shumë i rëndësishëm ligjor që kërkon një analizë për të vlerësuar nëse rregullimi i të gjithë sektorit të medias duhet ose jo të kalojë në përgjegjësinë e këtij autoriteti si dhe nëse sanksionimi i medias, përfshi këtu edhe ofruesit e shërbimeve të publikimit elektronik duhet të jetë apo jo përgjegjësi e Këshillit Etik të këtij autoriteti.

Ndërsa Komiteti i Helsinkit ka dalë në përfundimin, se kjo ndarje, nuk garanton depolitizim të këtij institucioni, i cili normalisht duhet të jetë i pavarur.

Propozimet e Ramës u bënë publike dhjetorin e kaluar, ku kryeministri kërcënoi me gjoba e deri në mbyllje portalet, të cilat sipas tij kanë nevojë për disiplinim. Pas këtyre propozimeve, Rama mori shumë kritika si nga organizatat vendase, por edhe ato të huaja për lirinë e medias dhe të të drejtave të njeriut.

Ndërkohë gjobat do të jenë të paapelueshme dhe gjykatësi i vetëm do të jetë këshilli i dalë nga AMA, i cili do të përbëhet nga tre anëtarë. Pasi ka vënë në kontroll televizionet më të mëdha në vend, Rama tashmë ka nisur luftën me mediat online, duke kërkuar që të vendosë pushtetin e tij në të gjithë mjedisin mediatik.