JOQ Albania
Home

Akademiku ngre alarmin: Kriza institucionale në Shqipëri, më e rënda që nga luftërat ballkanike
Shkruar nga: N Hoxha | Publikuar më: 10/07/2019 21:12

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Kriza që po kalon Shqipëria është një nga krizat më të rënda institucionale. Kështu ka deklaruar akademiku Artan Fuga, i cili thotë se institucionet janë vënë në dyshim prej njëra-tjetrës.

I ftuar në studion e lajmeve në "RTV Ora", Fuga u shpreh se një krizë e tillë institucionale mund të ketë pasur vetëm në kohën e luftërave ballkanike.

Fuga theksoi gjithashtu se kemi probleme me institucionin e Presidentit, të cilin institucioni i Kuvendit nuk e njeh. Me institucionin e Kuvendit, sepse një pjesë e deputetëve nuk dihet a janë të ligjshëm apo jo.

Deklarata e Fugës:

Unë e shikoj si një krizë politike, që u shoqërua me një krizë porceduriale lidhur me procesin zgjedhor, e cila ka çuar në një krizë institucionale ku ne kemi probleme me institucionin e Presidentit, të cilin institucioni i Kuvendit nuk e njeh. Me institucionin e Kuvendit, sepse një pjesë e deputetëve nuk dihet a janë të ligjshëm apo jo. Kemi probleme me zgjedhjet dhe me KQZ. Kemi probleme se nuk kemi Gjykatë Kushtetuese dhe kushdo merret me interpretime që nuk i takojnë. Pra kemi një krizë të madhe institucionale. Kemi një pushtet lokal, i cili ka dalë nga disa zgjedhje që jo vetëm janë me probleme, por edhe janë të administruara nga një kod zgjedhor, që pa pjesëmarrjen e të tërë partive do apo nuk do ndokush është jo adekuat. Pra kemi një krizë institucionale në disa rrafshe, që për mua është e barabartë me krizë të shtetit. Është një nga krizat më të rënda që kalon shtetit shqiptar në një shekull e më tutje. Një nga krizat më të rënda. Ndoshta në kohën e luftërave ballkanike ka pasur këtë krizë institucionale. As në kohën e diktaturës, ti lëmë natyrën e institucioneve, një të tillë paqëndrueshmëri, ku në mënyrë sistemike, strukturore mbi bazën e legjitimitetit institucional, të gjitha institucionet janë vënë në dyshim prej njëra-tjetrës.”