JOQ Albania
Home

“A do ta bllokojë Demokracia e Re nisjen e negociatave me Shqipërinë?”
Shkruar nga: E Prifti | Publikuar më: 10/07/2019 21:07

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Pas ardhjes në pushtet të Demokracisë së Re, ekzistojnë shqetësime në Bruksel, Berlin dhe Uashington në lidhje me ndryshimet e mundshme të politikave të Greqisë përkundrejt fqinjëve në Ballkan.

Në artikullin e realizuar nga EurActiv thuhet se ‘Demokracia e Re është gati të bllokojë shpresat evropiane të Shqipërisë në tetor dhe ndoshta e favorizon ndarjen, në rast se ka një vendim unanim nga Këshilli Evropian për rastin e Maqedonisë së Veriut.’

Artikulli i EurActiv:

Ministri i Jashtëm në hije i Demokracisë së Re, Giorgos Koumoutsakos, qartësoi disa muaj më parë, se partia e tij nuk do japë konsensus për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë.

Duket se Demokracia e Re është gati të bllokojë shpresat evropiane të Shqipërisë në tetor dhe ndoshta e favorizon ndarjen, në rast se ka një vendim unanim nga Këshilli Evropian për rastin e Maqedonisë së Veriut.

Fokusi i Greqisë do të vazhdojë të jetë tek kriza aktuale politike në Shqipëri, por edhe tek të dhënat mbi sundimin e ligjit dhe korrupsionin. Mbi të gjitha, shqetësimet kryesore kanë të bëjnë me mbrojtjen e të drejtave të pakicës greke, një çështje qartësisht shqetësuese për Demokracinë e Re.

Ajo që e ndërlikon më shumë situatën është se trajtimi i pakicës greke në Shqipëri është një çështje shumë emocionale, që tërheq kryesisht vëmendjen e medias populiste, që gjeneron presion mbi politikën: kjo është një çështje më afër zemrës së votuesve të krahut të djathtë të DR.

Ajo që mbetet për t’u parë është nëse qeveria e re do të përpiqet të trajtojë mosmarrëveshjet shqiptaro-greke, të cilat u bllokuan pas nisjes së një dialogu premtues nga qeveria e SYRIZA-s në vitin 2017.

Problemet dypalëshe përfshijnë, ndër të tjera, ndarjen e zonave detare dhe gjendjen teknike të luftës, që ekziston prej vitit 1945.

Një qeveri e mëparshme e Demokracisë së Re arriti një marrëveshje mbi përcaktimin e zonave detare me Shqipërinë në vitin 2009, por marrëveshja u anulua nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Zyrtarët e DR thonë se marrëveshja është e panegociueshme dhe mund të pranohet vetëm me ndryshime të vogla.

Drejtuesi kryesor kundër marrëveshjes për kufirin detar ka qenë udhëheqësi i atëhershëm i opozitës, Edi Rama, aktualisht kryeministër.

Mbetet për t’u parë nëse qeveria e re do të vendosë kushte tepër të rrepta për shpresat e Shqipërisë në BE dhe për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe.

Ka shumë të ngjarë që ata të kërkojnë ndonjë nxitje, duke zbatuar taktikën e zakonshme të ‘shkopit dhe karrotës. Në këtë rast, shkopi do lidhet me çështjet e pakicës etnike greke dhe karrota do jetë shanset e Shqipërisë për në BE.

Por ajo që e bën këtë histori të vështirë lidhet me faktin se, pavarësisht kësaj lidhje komplekse, Greqia duhet të mbajë gjallë shpresat e integrimit të Shqipërisë në një periudhë të kundërshtimit në rritje ndaj zgjerimit brenda BE.

Një dalje nga shinat e anëtarësimit në BE të Shqipërisë, nuk do ishte në dobi të Greqisë, pasi kjo do minonte stabilitetin e Tiranës dhe do të dobësonte levën evropiane mbi politikën shqiptare.

Për më tepër, Greqia me siguri do të shqetësohet nga lëvizjet drejt një bashkimi të Shqipërisë dhe Kosovës, të cilat sigurisht do të shtohen nëse shpresat e pranimit në BE të Tiranës do të frustrohen.

Kështu, Greqia do të përpiqet të arrijë një ekuilibër mes mbajtjes së presionit të fortë politik mbi Shqipërinë dhe mbajtjes gjallë të perspektivës evropiane. Një detyrë me të vërtetë sfiduese.